
E majta zyrtarizoi kandidaturën për kryetar komune në Gostivar
Partia Levica ka zyrtarizuar kandidatët e saj për kryetarë bashkie në komunat me shumicë shqiptare në pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se është e vetmja parti parlamentare maqedonase që garon me kandidatë të vet në këto komuna.
Në Komunën e Gostivarit, kandidat është Darko Grujoski, specialist i IT-së dhe operator informacioni me diplomë në shkenca kompjuterike dhe teknologji. Ai e dorëzoi zyrtarisht kandidaturën në Komisionin Komunal Zgjedhor (KKZ) në Gostivar.
“Ai përfaqëson brezin e ri të profesionistëve, të përgatitur për të përmirësuar shërbimet publike dhe transparencën e qeverisjes vendore me qasje dhe zgjidhje teknologjike moderne,” njoftuan nga Levica.
Në Tetovë, kandidatja për kryetare komune është Dr. Katka Bozhinovska, doktoreshë e shkencave juridike nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe e punësuar aktualisht në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
“Me njohuritë e saj akademike, karrierën e gjatë profesionale dhe integritetin e saj, Bozhinovska do të avokojë për rivendosjen e ligjshmërisë, drejtësisë dhe sundimin e vërtetë të ligjit në Tetovë,” theksoi partia.
Ndërsa në Strugë, Levica do të garojë me Jovana Mojsoska, deputete aktuale në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë dhe njëherazi Sekretare e Përgjithshme e partisë. Ajo është diplomuar në Fakultetin e Sigurisë.
“Përvoja, aktiviteti politik dhe përkushtimi i saj personal janë garanci se ajo do të mbrojë interesin publik dhe do të ofrojë zgjidhje reale për problemet me të cilat përballet Struga,” thuhet në komunikatën zyrtare.
Kritikë për DPMNE-në dhe marrëveshjet me VLEN
Levica ka kritikuar ashpër vendimin e VMRO-DPMNE për të mos dalë me kandidatët e saj në këto komuna, nën presionin – siç thotë partia – të marrëveshjeve të koalicionit me VLEN.
“Ne e konsiderojmë këtë një poshtërim dhe shpërfytyrim të paparë të popullit maqedonas në pjesën perëndimore të vendit. Kështu bëhet e qartë se për partitë e mëdha, interesi i qytetarëve i nënshtrohet tregjeve partiake dhe tregjeve etnike që çojnë në federalizim,” akuzon Levica.
Sipas partisë, kandidatët e saj janë individë me “besueshmëri, njohuri dhe kompetencë profesionale” që nuk do të qeverisin në bazë të “etno-tribalizmit, klientelizmit dhe korrupsionit”, por mbi bazën e ideologjisë dhe programit politik.
“Levica është ajo që kundërshton politika të tilla! Prandaj, në këto zgjedhje bëjmë thirrje për mobilizim të të gjithë qytetarëve që duan ndryshim dhe që duan që vlerat e vërteta të mbizotërojnë në komunat e tyre,” përfundon deklarata e partisë.