
E pabesueshme, edhe Xhuntoli rrezikon të largohet nga Juventusi
Kualifikimi në Ligën e Kampionëve me çdo kusht, për të shpëtuar bilancin, sezonin, por edhe imazhin. Tani që revolucioni është hedhur poshtë, Tiago Mota është shkarkuar dhe Juventus kërkon shpëtim nga Igor Tudor, fokusi është vetëm te 9 ndeshjet e fundit, që duhet të shërbejnë për të shmangur katastrofën.
“Objektivi minimal është kualifikimi për në Ligën e Kampionit të sezonit të ardhshëm,” tha Mauricio Skanavino në korrik, gjatë prezantimit të Tiago Motës.
Përkrah drejtorit të përgjithshëm ishte Kristiano Xhuntoli, i cili zgjodhi trajnerin dhe ndihmoi në ndërtimin e Juventusit të ri. 13 lojtarë dhe mbi 200 milionë euro të shpenzuara, por që nuk mjaftuan për të ngritur nivelin e konkurrencës së skuadrës. Kështu që edhe Xhuntoli ka përfunduar në shënjestër, por puna e tij do të vlerësohet me kujdes nga pronarët.
Dhe pa rezultate, ai rrezikon gjithashtu shkarkimin. Duket i pashmangshëm një riorganizim gjatë verës, me përfshirjen e figurave që janë tashmë brenda klubit, si: Xhorxho Kielini dhe Françesko Kalvo. Xhuntoli ka një kontratë të gjatë (deri në vitin 2028) me 1,5 milionë euro në vit që e mbron, por si gjithmonë në futboll, rezultati ka rëndësi. Kur erdhi një vit e gjysmë më parë nga Napoli, klubi i dha pushtet të plotë.
Te Juventusi, si në të gjitha kompanitë, funksionon që fillimisht të japin “çek të bardhë”, por pastaj të kërkojnë llogari. Projekti Mota dështoi rëndë pas 8 muajsh dhe Liga e Kampionëve mbetet shpresa e vetme për shpëtim.
Xhuntoli gjeti një situatë ekonomike të komplikuar dhe kontribuoi ndjeshëm në uljen e kostove me shitje dhe reduktime të pagave, por rezultatet nuk janë në përputhje me investimet e bëra për të forcuar organikën dhe mbetet në rrezik.