E trishtë: Dhunohet një e mitur nga dy burra në Prizren, një tjetër dyshohet se e përdori për prostitucion
Një fenomen mjaft shqetësues dhe që po përbën sfidë për institucionet në Kosovë është prostitucioni. Viktima të këtyre rasteve kanë qenë jo rrallëherë edhe vajzat e mitura, të cilat janë shfrytëzuar, keqtrajtuar e abuzuar seksualisht kryesisht nga burra të moshës madhore. Për një rast që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një motel në mes të rajonit të Gjakovës dhe Pejës, ku Policia ka arritur ta arrestojë tre persona, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se tre të arrestuarit po dyshohen për dhunimin dhe mundësimin apo detyrimin për prostitucion të një vajze 15-vjeçare.
Cilat janë detajet e këtij rasti të trishtë?
Tre të dyshuarit, me një plan të detajuar, dyshohet se fillimisht i kanë ofruar ‘ndihmë’ viktimës, e cila ishte larguar nga shtëpia e saj para disa ditësh, duke e marrë me veturën e tyre dhe duke i premtuar strehim.
Gjatë kësaj periudhe, të njëjtit e kanë dërguar në një motel, ku dyshohet se dy prej tyre kanë kryer marrëdhënie seksuale me të, edhe pse kanë qenë në dijeni për moshën e saj.
Për dhunimin e 15-vjeçarës dyshohet se ndihmoi i dyshuari i tretë, që sipas burimeve të Sinjalit, dyshohet se e ka organizuar dhe ndihmuar viktimën për qëllime të prostitucionit – duke kryer kështu veprën penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion”.
Si u kapën të dyshuarit nga Policia?
Kontrollet e Policisë mbrëmë pas mesnate, te Tranziti i Vjetër në Prizren u bënë ‘sebep’ që të zbulohej rasti, pasi vetura në të cilën ndodheshin tre të dyshuarit dhe viktima u ndalua për kontroll.
Të dyshuarit fillimisht tentuan t’ia hedhin Policisë, duke u prezantuar si familjarë mes vete, por tentativa për t’i mashtruar iu dështoi dhe u ngritën dyshimet se deklaratat e tyre janë të rrejshme.
Sipas të njëjtave burime, pasi u zbulua se asnjëri prej tyre nuk ka lidhje familjare me tjetrin, grupi u shoqërua për në stacion policor, teksa në anën tjetër, vajza është dërguar në Spitalin Rajonale për ekzaminimet e nevojshme.
Ndaj tre të dyshuarve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit për dy vepra penale “Dhunimi” e “Mundësimi apo detyrimi në prostitucion”.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja të rastit.