
E vështirë sfida e Bujar Osmanit ndaj Izet Mexhitit
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Bujar Osmani, gjatë një tubimi me qytetarët e Çairit, u përgjigj ndaj akuzave të kundërkandidatit të tij, duke theksuar se për të, kjo komunë nuk është “hap drejt karrigeve qeveritare”, por një mision i plotë.
“Kundërkandidati im thotë se Bujar Osmani asnjëherë nuk e ka përjetuar Çairin si shtëpinë e vet, por vetëm si një hap drejt një karrigeje në Qeveri. Për të, Çairi asnjëherë nuk ka qenë qëllim, por mjet”, tha Osmani.
Ai sfidoi rivalin me një propozim publik:
“Hajde të bëjmë një marrëveshje. Unë sot do të nënshkruaj, madje edhe te noteri nëse duhet, që nuk do ta lë komunën e Çairit deri sa ju të mos më ndërroni me votë. Asnjëherë, për asnjë funksion, pa marrë parasysh çfarë oferte mund të më japin nesër. Edhe nëse më propozojnë për ministër – unë nuk do ta lë funksionin e kryetarit të komunës. Por, të njëjtën marrëveshje duhet ta pranojë edhe Mexhiti. Nëse ai humb, duhet të japë dorëheqje – menjëherë. Kjo është çështje e moralit politik dhe e ndershmërisë personale. E pastaj le të shohim kush është i ndershëm e kush jo në qëllimet e veta”, theksoi Osmani.
Ai shtoi se nëse kandidati humb, ditën tjetër duhet të japë dorëheqje, një parim që, sipas tij, e ka respektuar gjithmonë gjatë garave politike.
“Historia është e qartë kur politikanët e vërtetë kanë kandiduar për funksione lokale – fillimisht janë dorëhequr nga funksionet e tyre në Qeveri. Këtë e ka bërë Teuta Arifi si zëvendëskryetare e Qeverisë. Këtë e ka bërë Nevzat Bejta si ministër për Vetëqeverisje Lokale. Këtë e ka bërë edhe Zekirija Ibrahimi si deputet. Është e natyrshme me atë akt të tregosh se komuna nuk është variant rezervë për ty, por se hyn me gjithë zemër, nëse vërtet je i përkushtuar ndaj komunës dhe ndaj Çairit”, theksoi Osmani.
Në përmbyllje, ai deklaroi se marrëveshja e propozuar është një test për sinqeritetin e kandidatëve:
“Për të parë kush vërtet do të punojë për Çairin – dhe kush do ta përdorë Çairin për t’u kthyer në funksion në Qeveri. Qytetarët kanë të drejtë të dinë: kush është këtu për ta, e kush është këtu vetëm për veten”, tha Osmani. Flaka