Edhe pse rastet po bien, alarmi mbetet: 3.850 banorë të Gostivarit kërkuan ndihmë mjekësore
AA
Pothuajse 3.850 banorë të Gostivarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë dhjetë ditëve të fundit për shkak të problemeve gastrointestinale, kryesisht me simptoma si diarre dhe të vjella.
Edhe pse numri i pacientëve që paraqiten për kontrolle mjekësore është në rënie, autoritetet shëndetësore theksojnë se situata vazhdon të monitorohet me kujdes. Në terren po vazhdojnë aktivitetet për rikthimin e furnizimit me ujë teknikisht të sigurt dhe më pas të pijshëm, ndërsa rasti po ndiqet edhe nga Komisioni për Sëmundjet Infektive.
Kryetarja e Komisionit për Sëmundjet Infektive, Dr. Zhaklina Shopova, tha se koprokultura mbetet standardi kryesor për identifikimin e baktereve dhe se rezultatet deri më tani kanë qenë negative tek të gjithë pacientët.
“Standardi i artë për bakteret është koprokultura. Siç është bërë e ditur edhe nga Ministri i Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse, të gjitha koprokulturat janë negative. Kjo do të thotë se kemi prani të baktereve dhe viruseve, por nuk mund të përcaktohet me saktësi një shkaktar i vetëm. Kjo është e zakonshme në epidemi të transmetuara përmes ujit,” deklaroi Shopova.
Ajo paralajmëroi se nuk duhet të ketë vetëkënaqësi, pasi pas epidemive të tilla mund të shfaqen edhe sëmundje të tjera infektive.
“Sistemi shëndetësor nuk duhet të relaksohet. Përveç infeksioneve të zorrëve, ekziston mundësia e paraqitjes së rasteve me hepatit A dhe hepatit E. Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente janë njoftuar me kohë për këtë rrezik,” theksoi Shopova.
Ministri i Shëndetësisë njoftoi një ditë më parë se astrovirusi dhe Shigella janë patogjenët që janë izoluar më shpesh tek pacientët nga Gostivari. Megjithatë, sipas tij, ato nuk janë të pranishme tek të gjithë të prekurit, ndaj ende nuk mund të nxirret një përfundim përfundimtar mbi shkaktarin e epidemisë.
Ndërkohë, ndalesa për përdorimin e ujit të çezmës mbetet në fuqi. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të Gostivarit të mos e përdorin ujin për asnjë nevojë derisa të publikohet një njoftim zyrtar se ai është i sigurt për përdorim.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski tha se së shpejti pritet të hapen për qarkullim edhe 10 kilometra të tjera të
Policia e Maqedonisë së Veriut gjatë dy ditëve të kaluara ka realizuar disa aksione në qytete të ndryshme të vendi,
Anëtari i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Jon Frçkoski, akuzoi sot Qeverinë dhe kryeministrin Hristijan Mickoski për, siç u shpreh ai,