Edhe sa viktima duhet që të zgjohet populli?- Analizë nga Shprehja
Një tjetër tragjedi ka goditur Maqedoninë. Në Koçani, një diskotekë që funksiononte “ilegalisht” u bë skenë vdekjeje për të paktën 59 të rinj. Një tjetër dhimbje e madhe, një tjetër ditë zie kombëtare, por në fund – një tjetër rast që rrezikon të harrohet si shumë të tjerë. A do të mbajë ndokush përgjegjësi? Apo, edhe kësaj radhe, do të dëgjojmë vetëm ngushëllime dhe premtime boshe?
Ky shkrim është një analizë nga Portali Shprehja, që synon të hedhë dritë mbi shkaqet e këtyre tragjedive dhe mungesën e drejtësisë.
Një popull që harron shpejt
Historia na ka treguar se tragjeditë në Maqedoni nuk janë thjesht fatkeqësi të rastësishme, por pasoja të drejtpërdrejta të një sistemi të kalbur nga korrupsioni dhe mosndëshkueshmëria. Kemi parë raste të njëpasnjëshme, por kemi harruar shpejt. Ne harruam që korrupsioni mori jetë në:
- Besa Trans (2021) – 45 viktima
- Spitali Modular Tetovë (2021) – 14 viktima
- Durmo Tours (2019) – 16 viktima
- Skandalet e ONKOLOGJISË dhe PUCKO PETROLIT
Dhe tani, +60 viktima të tjera në Koçani. Pyetja është: a do të harrojmë përsëri?
Pse ndodhin këto tragjedi?
Arsyeja kryesore që tragjeditë përsëriten është se askush nuk mban përgjegjësi. Fajtorët mbrohen nga sistemi, ndërsa qytetarët e zakonshëm janë ata që paguajnë çmimin më të lartë – me jetën e tyre.
1. Korrupsioni në institucionet shtetërore
Lejet e punës dhe licencat jepen mbi baza ryshfetesh, jo mbi bazën e sigurisë. Diskoteka në Koçani, funksiononte ilegalisht. Si është e mundur që një biznes i tillë të operojë lirshëm? Përgjigja është e qartë.
2. Mungesa e inspektimeve dhe llogaridhënies
Institucionet që duhet të garantojnë sigurinë dështojnë sepse ose janë të paafta, ose janë të kapura nga korrupsioni. Pas çdo tragjedie, institucionet premtojnë hetime dhe reforma, por rezultatet janë gjithmonë të njëjta – askush nuk ndëshkohet.
3. Heshtja e shoqërisë dhe harresa kolektive
Populli proteston për disa ditë, zemërohet në rrjetet sociale, por pastaj vazhdon jetën si më parë. Shoqëria jonë ka rënë në një cikël të rrezikshëm të harresës dhe mosveprimit. Në vende të tjera, pas tragjedive ka protesta masive dhe presion të madh publik për ndëshkimin e fajtorëve. Kjo mungon në Maqedoni.
Deri kur?
Ne e dimë se çfarë po ndodh. Ne e dimë se ky sistem vret. E dimë se mungesa e drejtësisë sjell tragjedi të reja. Pyetja është: deri kur do të vazhdojmë të jetojmë kështu?
Në Serbi, pas një tragjedie me 15 viktima, studentët protestojnë për muaj të tërë. Tek ne, edhe pas dhjetëra tragjedive, reagimi është i përkohshëm dhe kalon shpejt. Nëse nuk kërkojmë drejtësi, nëse nuk ushtrojmë presion për ndryshim, tragjeditë nuk do të ndalen.
Mos lejoni që Koçani të bëhet thjesht një statistikë tjetër në listën e zezë të Maqedonisë. Mos lejoni që kjo tragjedi të kalojë pa drejtësi.
KËRKONI LLOGARI!
Portali Shprehja do të vazhdojë të ngrejë zërin për drejtësi dhe të mos lejojë që këto raste të harrohen.