
Ekipet e Premier Ligës dhe Seria A, kërkojnë sulmuesin e Shtutgardit
Serhou Zhirasi vijon të jetë në qendër të vëmendjes së klubeve kryesore në Europë, kryesisht nga Premier Liga. Sulmuesi i Shtutgardit, po shkëlqen këtë sezon në kampionat, me 17 gola në 15 ndeshje. Kjo ka bërë që Çellsi, Man. Junajted, Totenhami, Liverpulli dhe Arsenali, të interesohen për lojtarin, që ka një kontratë deri në vitin 2026 me gjermanët.
Gjithsesi, ai ka një klauzolë prej 17.5 milionë eurosh për t’u larguar nga Shtutgardi, klauzolë që është në fuqi edhe këtë verë. Për pasojë, ekipet do të hidhen në sulm për të siguruar shërbimet e tij.
Ekipet angleze, si dhe Milan në Itali, u përpoqën të marrin lojtarin që në merkaton e janarit, por pa sukses. Zhirasi refuzoi çdo ofertë, por në verë situata do të jetë ndryshe për 27-vjeçarin nga Guinea.
Pritet që ofertat nga Anglia të jenë më të mira si për Shtutgardin, ashtu dhe për lojtarin, gati për të nisur një aventurë të re pas dy vitesh në Bundesligë.