
Elmazi: Saraji nuk do të mbetet më në harresë, Saraji do të fitojë
Kandidati i VLEN-it për Komunën e Sarajit, Muhamet Elmazi, në një konferencë për shtyp u zotua se do ta kthejë komunën nga “vendi i premtimeve të dështuara” në qendër të zhvillimit dhe shpresës për qytetarët.
“Unë nuk vij sot këtu vetëm si kandidat. Vij si dikush që ka ecur nëpër Bojanë, që ka dëgjuar hallet e banorëve të Kondovës, që ka parë mungesën e investimeve në Radushë e Bukoviq, që ka ndarë përditshmërinë me Shishovën, Çajlanën, Gërçecin, Lubinin dhe çdo fshat tjetër të kësaj komune. Ne e dimë çfarë i mungon Sarajit, sepse jemi pjesë e Sarajit,” tha Elmazi.
Ai theksoi se realizimi i programit 2021–2025 të komunës është më pak se 5%, duke i quajtur shumicën e projekteve të bëra deri tani “aktivitete kozmetike”. “Komuna e Sarajit e mbylli këtë mandat pa asnjë projekt kapital të përfunduar. Është turp që pas 20 vitesh ende të flasim për ujë të pijshëm, për rrugë që s’janë bërë, për mungesë të çerdheve e të investimeve bazike,” u shpreh ai.
Sipas tij, ndërkohë që komuna ka dështuar, qeveria e re VLEN ka sjellë pesë projekte kapitale për Sarajin, me vlerë mbi 318 milionë denarë. “Ujësjellës në Llaskarcë, rrugë të reja në Rashçe e Kopanicë, sallë multifunksionale, dhe investime mbrojtëse në Gllumovë e Arnaqi – këto dëshmojnë se ndryshimi është i mundur,” tha Elmazi.
Ai paraqiti vizionin e tij për zhvillimin e komunës:
“Matka nuk duhet të jetë e mbytur në bërrllog, por qendra turistike e gjithë shtetit. Liqeni i Treskës nuk duhet të jetë turp për ne, por zemra e gjallë e Sarajit. Ky është vizioni ynë, një Saraj që ofron ujë 24 orë në ditë, rrugë të rregullta, shkolla moderne, kulturë, sport dhe zhvillim ekonomik për të gjithë.”
Në fund, kandidati i VLEN-it dërgoi një mesazh të qartë:
“Koha e mashtrimeve ka mbaruar. Koha e rrenave ka mbaruar. Koha e Sarajit ka ardhur! Dua që të dëgjohet sot nga çdo lagje, nga çdo fshat, nga çdo shtëpi: Saraji nuk do të mbetet më në harresë, Saraji do të fitojë!”