
Elseid Hysaj: Një top është, gjithçka mund të ndodh
Kombëtarja shqiptare mbylli me sukses fazën përgatitore në Austri dhe tani kuqezinjtë janë vendosur në Kaiserau në Kamen ku do të qëndrojnë dhe përgatiten në kuadër të finaleve të Evropianit “Gjermani 2024”, më konkretisht për sfidat ndaj Italisë, më 15 qershor, Kroacisë, më 19 qershor dhe Spanjës, më 24 qershor. Nga kampi bazë në SportCentrum Kaiserau anësori i mbrojtjes së Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj zhvilloi këtë të martë një konferencë për shtyp, nga ku foli fillimisht për formën e mirë, që po kalon Kombëtarja, si dhe për sfidat e grupit B, në Evropianin e Gjermanisë.
“Kemi punuar me të vërtetë shumë fizikisht dhe nuk kemi qenë në 100% tonë, mirëpo duhej diçka e tillë, para se të fitonim forcë në këmbë, para sfidës me Italinë, megjithatë treguarm që jemi në formë të mirë dhe jemi gati për ndeshjet e radhës. Po stërvitemi të jemi samë kompakt në fushë, për të mos i lënë hapësira kundërshtarit në fushë. Kemi përpara tre ndeshje shumë të bukura, në një Kampionat Evropian, siç është edhe ky i Gjermanisë dhe i kam thënë çunave ta shijojnë sa më shumë këtë kompeticion. Duhet të kemi besim te vetja ashtu siç bëmë gjatë kualifikimit”,- u shpreh anësori i kombëtares kuqezi.
“Për ne Italia është një pikë kyçe, por duhet ta tregojmë me vepra në fushën e lojës dhe jo me fjalë. Të tregojmë që i duam me ngulm ato pikë. Rëndësi është që të mos humbasim. Portugalia kaloi me tre pikë në 2016-ën, gjithçka mund të ndodhë. Sa i përket stërvitjes besoj që kemi një ndryshim në mentalitet, me ndeshjen që po afron tashmë jemi më serioz, nuk kemi më kohë për të shpenzuar për asgjë tjetër përveç sfidave të Evropianit”,- tha “pistoni” i krahut të djathtë.
“Kam kaluar shumë momente të bukura në 2016, për pak ishim duke u kualifikuar. Me këtë grup është përsëri si familje. Të gjithë djemtë e rinj janë përshtatur mjaft mirë. Është grup fantastik, jemi në të njëjtin mendim dhe të gjithë të kënaqur. Patëm një pritje mjaft të ngrohtë, tifozët shqiptarë e duan shumë Kombëtaren. Ata do e mbushin stadiumin ndaj Italisë si në Euro 2016. Jemi një skuadër e re, po punojmë mirë. Rëndësi ka të ruajmë qetësinë në fushë, pasi Italia është ekip i rrezikshëm. Të gjithë skuadrat kanë pika të dobëta. Do përpiqemi të gjejmë dobësi tek Italia, do na ndihmojë edhe trajneri. Italisë i mungon një bomber. Immobile është kampion, prisja të luaja përballë tij, më vjen keq që nuk është, por sezoni i fundit nuk ka qenë shumë pozitiv për të.
Tani jam një Hysaj me më shumë eksperiencë, me shumë gjëra në kokë. Nuk kemi ardhur për të kaluar kohën këtu. Nuk kënaqem me pak bukë, dua bukën e madhe. Të mos kemi pengje në fund Në 2016 isha i ri, isha shumë i kënaqur, tani dua të arrij më shumë. Shpresoj që të gjithë të kemi urinë e duhur. Arritja do të jetë që gjithë Shqipëria të na duartrokasë pas ndeshjeve. Të jemi krenarë, si në humbje dhe në fitore. Të kthehemi në shtëpi me kokën lart”,- përfundoi konferencën për shtyp anësori shkodran