
Entuziazëm në Gostivar për AKI-n: Limani dhe Xhaferi marrin mbështetje të fuqishme nga qytetarët
Në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore, të rinjtë dhe forumet e grave që janë pjesë e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (ASH dhe BDI) sot organizuan një shëtitje nëpër Gostivar. Në këtë aktivitet morën pjesë kandidati për kryetar komune, Valbon Limani, dhe bartësi i listës për këshilltarë, Valdet Xhaferi.
Kryetari aktual i Gostivarit dhe kandidati për kryetar komune, Valbon Limani, vlerësoi se do të shfrytëzojnë këto takime me qytetarët në zonën urbane dhe me zejtarët, për të dëgjuar nga afër kërkesat dhe nevojat e tyre.
“Kjo shëtitje është vetëm fillimi i aktiviteteve që do të intensifikohen në periudhën në vijim. Qëllimi i tyre është që të dëgjohen drejtpërdrejt nevojat e qytetarëve dhe mbi këtë bazë të ndërtohet programi zgjedhor”, tha Limani.
Kryetari i degës së BDI-së në Gostivar dhe bartësi i listës së këshilltarëve, Valdet Xhaferi, deklaroi se procesi zgjedhor në Gostivar do të përfundojë më 19 tetor.
“Kjo është e mundur falë mbështetjes që po merr koalicioni “AKI”, dhe kjo mbështetje pasqyrohet në të gjitha anketat dhe në atmosferën që mbizotëron në qytetin e Gostivarit”, tha Xhaferi.
Ata theksuan se koalicioni “AKI” është formuar për të bashkuar shqiptarët, ashtu siç ka qenë para vitit 2001. Para disa ditësh, përfaqësues të partive që përbëjnë këtë koalicion kishin një takim në Gostivar ku u përcaktuan parimet dhe pjesëmarrja në zgjedhje.