
Ervin Shabani – Kandidati i PDK-së që synon fitoren në Gjakovë
Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Gjakovës në zgjedhjet e ardhshme lokale. Bëhet fjalë për Ervin Shabanin, të cilit Kryesia dhe Kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë i kanë besuar kandidimin, duke e vlerësuar si një nga figurat më të përgatitura për të udhëhequr qytetin, shkruan portali Zyrtare.net
Shabani aktualisht ushtron detyrën e Inspektorit të Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku ka dëshmuar profesionalizëm dhe përkushtim në zbatimin e standardeve tregtare dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve. Ai vjen me një përvojë të konsiderueshme edhe nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, ku ka kontribuar në projekte strategjike për zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovimin e ekonomisë vendore.
Me një profil të qëndrueshëm profesional dhe angazhim të dëshmuar institucional, Ervin Shabani po shihet si njëri ndër pretendentët kryesorë për të fituar udhëheqjen e Komunës së Gjakovës. Ai përfaqëson një qasje të re politike, me fokus në transparencë, zhvillim ekonomik dhe forcim të shërbimeve komunale në funksion të qytetarëve.
Përkrahja që ka marrë nga strukturat lokale të PDK-së, por edhe mbështetja që po gëzon në terren, e bëjnë Shabanin një kandidat serioz dhe të përgatitur për të sjellë ndryshimin që Gjakova ka nevojë.
Zgjedhjet që po afrohen do të jenë një mundësi për qytetarët të vendosin për një drejtim të ri – dhe emri i Ervin Shabanit tashmë është në qendër të vëmendjes.