Fatmir Limaj i dërgon letër Bedri Hamzës: NISMA kërkon të garojë në listat e PDK-së
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka dërguar letër kreut të Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, përmes së cilës ka shprehur gatishmërinë që NISMA të bëhet pjesë e listës së përbashkët zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit. Në letrën e siguruar nga Klan Kosova, Limaj thekson se NISMA dhe ai personalisht kanë qenë vazhdimisht të hapur për bashkëpunim dhe bashkim politik, me qëllim krijimin e një alternative të fuqishme opozitare për qytetarët e Kosovës. “Ne besojmë se një bashkim i tillë nuk përfaqëson vetëm një marrëveshje politike apo elektorale, por edhe një frymë bashkëpunimi ndërmjet njerëzve dhe strukturave që për vite me radhë kanë ndarë ideale, sakrificë dhe vizion të përbashkët për Kosovën”, thuhet në letrën e Limajt. Ai ka theksuar se angazhimi i Nismës nuk udhëhiqet nga kërkesa të veçanta politike apo organizative, por nga bindja se koordinimi i potencialit opozitar është në interes të vendit. “Në këtë frymë, dëshirojmë të theksojmë se angazhimi ynë nuk udhëhiqet nga kërkesa të veçanta politike apo organizative, por nga bindja se bashkimi dhe koordinimi i potencialit opozitar është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet më tej në shkresë. “Duke besuar në mirëkuptimin, respektin reciprok dhe vullnetin për bashkëpunim, mbetemi të gatshëm për koordinimet dhe hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces”, përfundon letra e dërguar në adresë të PDK-së.