
Federata Shqiptare e Basketbollit reagon pas thirrjeve raciste në Kumanovë: Ka informuar zyrtarisht FIBA World
Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes së rëndë të ndodhur gjatë ndeshjes kualifikuese për FIBA World Cup mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në qytetin e Kumanovës, ku janë dëgjuar thirrje me përmbajtje të theksuar raciste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Federata Shqiptare e Basketbollit ka ndërmarrë hapa konkretë, duke dërguar një letër zyrtare pranë FIBA World,” – thuhet në njoftimin e FSHB-së. “Në këtë letër është denoncuar qartë ngjarja dhe është kërkuar që të merren masa të qarta e të ashpra ndaj çdo veprimi që bie ndesh me frymën e barazisë dhe respektit që promovon sporti.”
FSHB thekson se nuk do të tolerojë asnjë akt që nxit urrejtje etnike në arenat sportive dhe shton se përgjegjësia bie edhe mbi institucionet ndërkombëtare të sportit që duhet të garantojnë ambiente të sigurta dhe të denja për të gjithë.
“Basketbolli, si çdo sport tjetër, duhet të jetë një hapësirë për bashkëpunim, respekt dhe përfaqësim dinjitoz – larg gjuhës së urrejtjes dhe çdo forme diskriminimi,” – përfundon reagimi. Flaka
The post Federata Shqiptare e Basketbollit reagon pas thirrjeve raciste në Kumanovë: Ka informuar zyrtarisht FIBA World appeared first on Flaka, në çdo lajm… .