Fetai premton “kthesë historike” me Ligjin për përfaqësim, por skeptikët flasin për marketing politik
ëvendëskryeministri Arben Fetai në një konferencë për media deklaroi se vizita e Komisionit të Venecias në Shkup është pjesë e procesit përgatitor për mendimin e tyre lidhur me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ai e cilësoi këtë ligj si “një kthesë historike për shtetin”, duke theksuar se për herë të parë përfaqësimi i drejtë shndërrohet në një detyrim ligjor të qartë për institucionet.
Mirëpo, kritikat ndaj qeverisë nuk mungojnë. Sipas analistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ky proces është i vonuar me dy dekada dhe nuk ka garanci se edhe pas mendimit të Komisionit të Venecias ligji do të zbatohet realisht në praktikë.
“Ky ligj është i vonuar. Ai duhej të ishte miratuar që nga viti 2003”, tha vetë Fetai, duke pranuar një padrejtësi të trashëguar ndër vite. Por, për shumëkënd, ky pranim është një alibi për mungesën e përgjegjësisë aktuale.
Kritikët e shohin këtë proces si pjesë të marketingut politik të qeverisë.
“Fetai flet për standarde evropiane, por realiteti është se institucionet edhe sot funksionojnë me përfaqësim selektiv dhe shpesh diskriminues. Nuk është çështje ligji të ri, por vullneti për zbatim të asaj që tashmë është në Kushtetutë”, vlerëson Gent Aliu, njohës i çështjeve politike.
Megjithëse Fetai paralajmëroi se projektligji shumë shpejt do të dërgohet në Parlament për procedurë, mbetet e paqartë nëse ai do të ketë mbështetje reale nga shumica, apo do të shërbejë vetëm si premtim i radhës për reforma të bllokuara. Flaka






