
Fetai: U rithemelua Këshilli për bashkëpunim mes Qeverisë dhe shoqërisë civile
Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka njoftuar sot përmes një postimi në Facebook se është hedhur një hap i rëndësishëm drejt një qeverisjeje më të hapur dhe gjithëpërfshirëse, përmes rithemelimit të Këshillit për Bashkëpunim mes Qeverisë dhe Shoqërisë Civile.
Në hapësirat e Qeverisë, ky Këshill është rithemeluar si një mekanizëm që synon të lidhë drejtpërdrejt institucionet shtetërore me qytetarët përmes organizatave të shoqërisë civile. “Ky Këshill do të shërbejë si një urë e mirëbesimit dhe bashkëpunimit, ku zëri i qytetarëve është i pranishëm dhe i dëgjuar në procesin e vendimmarrjes”, ka deklaruar Fetai.
Ai theksoi se ky forum nuk është thjesht një strukturë formale, por një angazhim konkret për një vendimmarrje të drejtë, transparente dhe përfaqësuese. Në këtë drejtim, ai rikujtoi dy hapa konkretë që tashmë janë ndërmarrë nga Qeveria: Për herë të parë, me iniciativë të kabinetit të tij, një përfaqësues i shoqërisë civile me të drejtë vote është bërë pjesë e Trupit Ndërresor për Luftë kundër Korrupsionit; Është hapur thirrja publike për mbështetjen financiare të projekteve të shoqërisë civile për vitin 2025.
“E njoh mirë sektorin civil – sfidat, betejat për mbështetje dhe përballjen me burokracinë. Por e njoh edhe fuqinë që ka një Qeveri kur dëgjon dhe bashkëpunon”, ka shtuar ai.
Në fund të deklaratës, Fetai garantoi për një bashkëpunim të qëndrueshëm me shoqërinë civile: “Dera ime do të mbetet gjithmonë e hapur për Shoqërinë Civile. Jam dhe do të mbetem një avokat i palëkundur i rritjes së rolit të tyre në vendimmarrje”, tha Fetai.
Ai bëri thirrje për ndërtimin e një partneriteti që nuk varet nga ciklet politike, por nga vlerat dhe vizioni i përbashkët për një shoqëri më të drejtë, të barabartë dhe të përparuar për të gjithë.