Filipçe: Bllokimi i rrugës evropiane të vendit është formë e grushtit të shtetit
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka deklaruar se pengimi i qëllimshëm i procesit eurointegrues të vendit përbën një formë të grushtit të shtetit.
Duke folur në seancën e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, Filipçe kritikoi gjendjen në disa fusha, duke përmendur ndikimin e pushtetit në gjyqësor, mungesën e pavarësisë së tij, luftën kundër korrupsionit dhe, siç tha ai, ndikimin e “botës serbe” dhe Rusisë në rajon.
“Ndikimi i kësaj qeverie në gjyqësor, pavarësia e gjyqësorit, ndikimi i hapur nga autoritetet më të larta, performanca e dobët në luftën kundër korrupsionit, ndikimi i ‘botës serbe’ dhe me këtë ndikimi i Rusisë në këtë rajon, në Ballkan dhe në këtë pjesë të Evropës, janë çështje që përmenden hapur në raporte”, deklaroi Filipçe.
Sipas tij, vendi nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe çdo vonesë e qëllimshme në këtë proces duhet të ngrejë pikëpyetje.
“Lind pyetja nëse ndalimi i qëllimshëm i rrugës evropiane nuk është një formë grushti shteti. Kur dihet se çfarë duhet bërë dhe kur nuk është hapur asnjë kapitull negociues, ndërsa katër vende kandidate për Bashkimin Evropian kanë mbajtur konferenca ndërqeveritare brenda një dite, atëherë është e qartë se nuk po ecim përpara”, tha lideri i LSDM-së.
Filipçe përmendi Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën si vende që, sipas tij, kanë avancuar në procesin e integrimit evropian, duke zgjidhur pengesat përmes dialogut dhe negociatave.
“Jemi i vetmi vend që nuk ka një kapitull të hapur për negociata, ndërsa këto katër vende kandidate padyshim që do të jenë shtetet e ardhshme anëtare të Bashkimit Evropian”, përfundoi Filipçe.
