
Fillim-gushti i punësimeve: 163 maqedonas, vetëm 2 shqiptarë – shpërthen opozita shqiptare
Punësime në gusht: 163 maqedonas dhe vetëm 2 shqiptarë në Armatë, Kadastra, Bujqësi dhe Kulturë – opozita akuzon për diskriminim dhe nepotizëm.
Flaka
Punësimet e fundit në disa institucione shtetërore gjatë fillimit të gushtit kanë rikthyer në fokus debatet për diskriminim etnik, përjashtim sistematik të shqiptarëve nga administrata shtetërore dhe raste të hapura të nepotizmit politik. Sipas të dhënave të bëra publike nga partitë shqiptare opozitare BDI dhe ASH, situata paraqitet shqetësuese:
- Në Armatë dhe Ministrinë e Mbrojtjes, nga 74 persona të pranuar, 71 janë maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar. Ky rast i vetëm shqiptar është Jasir Ibrahimi, nipi i liderit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, çka ka shkaktuar jo vetëm akuza për diskriminim, por edhe për nepotizëm politik.
- Në Agjencinë për Kadastrën e Pasurisë së Paluajtshme, u avancuan ose punësuan 25 maqedonas dhe 0 shqiptarë.
- Në Agjencinë për Nxitjen e Zhvillimit të Bujqësisë, raporti ishte po ashtu drastik: 20 maqedonas, 0 shqiptarë.
- Në Operën dhe Baletin Nacional (OBN), ku u denoncua përbërja etnike e punësuarve: nga 47 punonjës, 46 janë maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar.
Aleanca për Shqiptarët (ASH) e ka cilësuar këtë situatë si tregues brutal i përjashtimit të shqiptarëve nga institucionet kyçe të shtetit. Sipas ASH-së, këto nuk janë thjesht shifra, por një model institucional i përjashtimit dhe marginalizimit.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka reaguar me tone të forta ndaj përbërjes etnike të punësimeve në Operën dhe Baletin Nacional, duke e quajtur atë “diskriminim sistematik dhe të qëllimshëm ndaj shqiptarëve”. Megjithatë, kritikat publike nuk e kanë kursyer as këtë parti, duke e akuzuar për bashkëfajësi ose heshtje të mëparshme, si dhe për favorizim të afërmve politikë, sikurse në rastin e Jasir Ibrahimit.
Diskriminim vs. nepotizëm
Rastet e fundit kanë rikthyer në qendër të debatit dy fenomene të njohura dhe të dëmshme për shoqërinë, thotë Gent Aliu, njohës i rrethanave.
“Diskriminimi etnik, i cili reflektohet përmes përbërjes së njëanshme të punësimeve dhe avancimeve në administratë, edhe në sektorë ku shqiptarët kontribuojnë tradicionalisht, si bujqësia apo mbrojtja. Depotizmi politik, që shfaqet në formën e emërimeve të afërmve të liderëve politikë shqiptarë në pozita të vetme në mesin e përjashtimit të përgjithshëm të shqiptarëve – duke i dhënë përjashtimit edhe një nuancë klienteliste”, thonë Aliu.
Sipas tij, shifrat janë kokëforta dhe denoncojnë një realitet të dhimbshëm: shqiptarët vazhdojnë të mbeten të nënpërfaqësuar në shumë institucione shtetërore në Maqedoninë e Veriut. Në vend të përpjekjeve për përfaqësim të drejtë dhe përfshirës, duket se po ndërtohet një sistem ku minoritetet kanë akses në shtet vetëm përmes lidhjeve politike familjare.
Kjo situatë kërkon reagim institucional, transparencë në konkurset publike dhe një sistem kontrolli që i shmang privilegjet mbi baza etnike apo partiake, përfundon Aliu. Flaka
The post Fillim-gushti i punësimeve: 163 maqedonas, vetëm 2 shqiptarë – shpërthen opozita shqiptare appeared first on Flaka, në çdo lajm… .