Fillon edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”
Në organizim të Komunës së Çairit, nga sot deri më 26 korrik do të mbahet edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”. Nën drejtimin artistik të artisteve të operës Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti, “Çarshia” do të sjellë përmbajtje të nivelit të lartë muzikor në një nga hapësirat më të rëndësishme historike në Shkup.
Në kuadër të programit katërditor do të performojnë artistë të njohur vendas dhe ndërkombëtarë, ndërsa koncertet do të mbahen në hapësirat autentike të Suli hanit dhe Kurshumli hanit, duke e shndërruar Çarshinë e Vjetër të Shkupit në skenë të muzikës klasike dhe dialogut kulturor.
Siç njoftoi kryetari i Komunës, Izet Mexhiti, festivali paraqet një iniciativë të re kulturore të Komunës së Çairit, e krijuar me qëllim të vendosjes së një tradite të re artistike që do të afirmojë muzikën klasike, do ta forcojë bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar dhe do ta promovojë trashëgiminë e pasur historike dhe kulturore të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
Sipas sopranos dhe bashkëdrejtoreshës artistike, Dëshira Ahmeti, festivali ka potencial të bëhet një platformë e rëndësishme kulturore rajonale.
“Krijojmë një festival që do t’i lidhë artistët e nivelit të lartë, talentet e reja dhe publikun. Qëllimi ynë është që çdo edicion i ardhshëm të sjellë cilësi të re, bashkëpunime të reja dhe një prani edhe më të fuqishme ndërkombëtare. Jam e bindur se ‘Çarshia’ do të bëhet një emër i njohur në hartën kulturore të rajonit”, thotë Ahmeti.
Drejtoresha artistike Inva Mula vlerësoi se ambienti historik i Çarshisë së Vjetër të Shkupit përbën një skenë të jashtëzakonshme për muzikën klasike.
“Festivali ‘Çarshia’ sjell një ide që frymëzon që nga fillimi – që muzika klasike të bëhet pjesë e strukturës së gjallë kulturore të një hapësire që për shekuj me radhë ka lidhur njerëzit dhe kulturat. Besoj se ky edicion i parë është fillimi i një histori afatgjate dhe të suksesshme”, porositi Mula.
