Finalja e Kupës, Atalanta e Gjimshitit kërkon hakmarrje ndaj “Zonjës së Vjetër”
Tri vite pas finales së fituar nga bardhezinjtë, Kupa e Italisë do të ndahet sërish nga ndeshja mes Atalantës dhe Juventusit. Pasi mundën Fiorentinën, respektivisht Lacion në gjysmëfinale, skuadrat e Gasperinit dhe Allegrit do të “përplasin brirët” sonte në “Olimpiko” për trofeun e sezonit 2023-2024.
Finalja e vitit 2024 do të jetë padyshim ndryshe, duke marrë parasysh se si tri vite më parë Atalanta dhe Juventusi dolën në fushë gjatë pandemisë së “Covid-19”, me maska dhe kufizime për tifozët. Tani, megjithatë, do të ketë një stadium të ngrohtë për t’i mirëpritur dy skuadrat.
Sigurisht, krahasuar me vitin e kaluar, Kupa e Italisë do të ketë një fitues të ri, pas eliminimit të fituesit në fuqi, Interit dhe Bolonjës. Si Atalanta, ashtu edhe Juventusi i janë bashkuar tashmë skuadrës kampione italiane në listën e katër skuadrave të kualifikuara për Superkupën e radhës të Italisë (e katërta dhe e fundit është Milani).
Atalanta-Juventus, finalja e mbrëmjes së sotme e Kupës së Italisë, do të ketë dy skualifikime të rëndësishme. Gasperini nuk do të jetë në gjendje të llogarisë Scamacca, ndërsa Allegri do të duhet të heqë dorë nga Locatelli.
Ndër protagonistët më të shumëpritur, nga njëra anë, sigurisht që do të jenë De Ketelaere dhe Koopmeiners. Ky i fundit është një objektiv i mundshëm transferimi i Juventusit. Nga ana tjetër, të gjithë sytë janë te Chiesa dhe Vlahovici, por edhe i rikuperuari Kenan Yildiz, i cili shpreson të luajë në mesfushë në mbrëmjen më të rëndësishme për sezonin e Juventusit.