
FLAKA sërish nën sulme – faqja rikthehet pas 11 orësh jashtë funksionit: Vazhdojmë…
Sulmet e vazhdueshme të hakerëve, raportimet e rrejshme dhe komentet me spin kundër Agjencisë së Lajmeve Flaka po vazhdojnë, por edhe këtë herë dështuan. Mbrëmë nga ora 21:00 dhe deri sot në orën 08:00 të mëngjesit, faqja e Flakës ishte jashtë funksioni pasi u suspendua për shkak të raportimeve të rrjeshme.
Pas sqarimeve dhe dëshmive të dorëzuara tek operatori i hostingut, situata u qartësua dhe faqja u rikthye menjëherë në normalitet.
Kryeredaktori i Flakës, Driton Zenku, tha:
“Nuk është hera e parë që ndodhemi nën sulm, por çdo herë kemi arritur t’i zgjidhim kontestet në favorin tonë, sepse faktet dhe argumentet kanë qenë gjithmonë në anën tonë. Kur afrohen zgjedhjet, rastet e tilla shpeshtohen, por stafi ynë është i përgatitur për të përballuar këto sfida.”
Ai theksoi se periudha e ndërprerjes ka zgjatur gjithsej 11 orë, por falë përkushtimit të ekipit teknik, faqja u rikthye në orët e para të mëngjesit.
“Ishin 11 orë që faqja ishte jashtë funksionit, por arritëm që ta rikthejmë në funksion. Janë marrë të gjitha masat teknike që rastet e tilla të mos përsëriten, në mënyrë që lexuesit e Flakës të mos mbeten asnjëherë pa qasje në informacion.”
Zenku foli edhe për rastet e raportimeve të lajmeve në rrjetet sociale, veçanërisht në Facebook, ku shpesh herë përmbajtjet e Flakës bllokohen me tendencë.
“Edhe aty përballemi me raportime të rrejshme, por pas sqarimeve tona, Facebook rikthen linqet e raportuara me tendencë,” theksoi kryeredaktori.
Agjencia e lajmeve Flaka funksionon në përputhje me rregullat e gazetarisë profesionale dhe me dispozitat e ligjit të ri për media. Ajo është një media online e regjistruar zyrtarisht pranë Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, anëtare e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, pjesë e Këshillit për Etikë në Media në Maqedoninë e Veriut, si dhe pjesëmarrëse në Pro Media – Platformën e Mediave Profesionale Online, duke garantuar transparencë, besueshmëri dhe respektim të standardeve etike në informim.
Flaka mbetet e vendosur të informojë publikun saktë, profesionalisht dhe me fakte të verifikuara – pavarësisht sulmeve dhe presioneve të vazhdueshme. Kërkojmë ndjesë deri tek lexuesi, për shkak të ndërprerjes së përkohshme. Flaka Media