
Flakron Bexheti: Sistemi politik e ka stimuluar urrejtjen ndaj shqiptarëve!
Reagimet e ashpra ndaj koreve raciste dhe thirrjeve fashiste të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në Kumanovë, për çka u raportua në Flaka, nuk po ndalen. Pas partive politike dhe figurave publike, fjalën e ka marrë edhe profesori dhe aktivisti Flakron Bexheti, i cili në një reagim të prerë ka denoncuar klimën e toleruar institucionalisht ndaj urrejtjes ndaj shqiptarëve.
“Sjellja huligane e një grupi tifozësh, e shprehur përmes thirrjeve fyese si ‘shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur’ dhe ‘dhoma gazi për shqiptarët’, është pasojë direkte e një klime të toleruar institucionalisht dhe e një kulture të urrejtjes që nuk është sanksionuar asnjëherë nga institucionet kompetente siç duhet”, ka shkruar Bexheti.
Ai është i prerë në gjykimin e tij për rolin e institucioneve, të cilat sipas tij nuk kanë dështuar vetëm në parandalim, por janë bërë pjesë e problemit përmes heshtjes së tyre.
“Për këtë arsye mund të thuhet që sistemi politik dhe qeverisja, bashkë me policinë, gjykata e prokurori, jo që nuk e kanë parandaluar, por në heshtje kanë stimuluar këtë sjellje raciste plot albanofobi. Turp”, ka përfunduar ai.
Ky reagim i drejtpërdrejtë vjen në një moment kur opinionit publik i është imponuar qartësisht pyetja themelore: A është kjo vetëm një devijim i tifozëve, apo simptomë e një shteti që i ka normalizuar thirrjet fashiste ndaj shqiptarëve?
Në ndërkohë, ende mungon një qëndrim zyrtar nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse, ndërsa presioni ndaj tyre rritet çdo orë. Flaka
The post Flakron Bexheti: Sistemi politik e ka stimuluar urrejtjen ndaj shqiptarëve! appeared first on Flaka, në çdo lajm… .