Flasin nga spitali i Mitrovicës, ku po trajtohen tetë policë të lënduar nga aksidenti në veri – prezente njësi të shumta
Një aksident trafiku ka ndodhur në fshatin Grabovc të Leposaviqit në veri të Kosovës, ku është përfshirë një autoblindë e Policisë, me çrast kanë mbetur të lënduar 8 pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani.
“Asnjë nga policët nuk është në rrezik për jetën”, tha ai.
Teksa, zyrtarët policorë janë pranuar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku sipas Nita Mustafa-Hakaj, zëdhënëse për media e Spitalit të Mitrovicës, deri tani janë duke u kryer ekzaminimet e para dhe ende nuk ka shumë informacione.
“Janë duke u bërë ekzaminimet e para të zyrtarëve policorë, deri tani ende nuk ka shume informacione. Janë 8 prej tyre që po trajtohen në emergjencë”, tha për Express Mustafa-Hakaj.
Ndërsa, sipas Mitropolit, njësi të shumta policore janë prezente në spitalin ku po marrin tretmanin e nevojshëm mjekësor, kolegët e tyre.