Fonseka afër stolit të Milanit, zbulohet paga vjetore dhe kohëzgjatja e kontratës
Sipas “Tuttosport” të gjitha rrugët e Milanit çojnë te Paulo Fonseka, ndërsa konkurrenti i fundit i mbetur do të ishte Mark van Bomel në dalje nga Anverpeni, por “Djalli” duket i bindur për trajnerin portugez.
Zgjedhja, duhet thënë, nuk ngroh tifozerinë milaniste dhe kjo sigurisht do të jetë pengesa e parë e madhe për trajnerin që mbylli dy sezone në krye të Lilës. Ndërkohë mësohet që Milani për të ka gati një kontratë dyvjeçare gati për të me një opsion në vitin e tretë me vlerë rreth 3-3.5 milionë në sezon. Ajo që shton më shumë bindjen se do të jetë ai trajneri i “Djallit” është edhe takimi i së mërkurës që Fonseka ka pasur me Olimpikun e Marsejës. Ai ka refuzuar ofertën dhe sipas “L’Equipe” prapa këtij refuzimi fshihet pikërisht akordi që portugezi duhet të ketë me nënkampionët e Italisë.
E ndërkohë që Milani duket pranë zyrtarizimit të ndarjes nga Stefano Pioli dhe angazhimit të Paulo Fonsekës, tifozët kuqezi kanë nisur përsëri protestat në rrjete sociale. Emri i teknikut portugez që duhet të marrë stolin kuqezi nuk i ngroh tifozët të cilët përveç një peticioni, kanë nisur edhe përdorimin e etiketimit “nonseka” që ka shënuar një rritje në orët e fundit.
Ashtu si në rastin e Lopetegit, tifozëria po shpreh hapur pakënaqësinë për emrin e atij që duhet të jetë trajnerit i ri, teksa në preferenca e tyre qëndrojnë gjithmonë Antonio Konte e në pamundësi të tij, të paktën Roberto de Zerbi që ka cilësi teknike, por edhe është deklaruar gjithmonë si milanistë.