
Forcimi i Bashkëpunimit Ndërinstitucional: Takim i rëndësishëm mes Doganës dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike
Shkup, 5 Gusht 2025 – Në kuadër të përforcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në funksion të forcimit të transparencës fiskale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është zhvilluar një takim pune mes Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Maqedonisë së Veriut, z. Mustafa Dauti, dhe Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, z. Fisnik Mela.
Gjatë këtij takimi të rëndësishëm institucional, palët diskutuan për një sërë çështjesh strategjike që lidhen me menaxhimin dhe mbledhjen e të ardhurave publike, duke vendosur në fokus bashkëpunimin në fushën e kontrollit fiskal, shkëmbimit të të dhënave dhe luftës kundër ekonomisë informale dhe korrupsionit.
“Rritja e efikasitetit në mbledhjen e të ardhurave nuk është vetëm një detyrë teknike, por një angazhim institucional ndaj qytetarëve dhe bizneseve të ndershme. Prandaj, bashkëpunimi i ngushtë mes Doganës dhe DAP është kyç për garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent,” – theksoi z. Mustafa Dauti.
Në takim u theksua gjithashtu roli i rëndësishëm që luan Dogana në lehtësimin e procedurave për komunitetin e biznesit, duke u angazhuar për një mjedis sa më të favorshëm për zhvillimin ekonomik dhe zbatimin e rregullave të drejtësisë fiskale.
Nga ana e tij, z. Fisnik Mela vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Doganën dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkërendimit mes institucioneve, në funksion të interesit publik dhe zhvillimit të një administrate moderne dhe të digjitalizuar.
Ky takim shënon një hap konkret drejt forcimit të partneritetit strategjik ndërmjet institucioneve që luajnë rol kyç në menaxhimin e financave publike, dhe konfirmon përkushtimin e përbashkët për të garantuar rritje të të ardhurave shtetërore, ulje të evazionit fiskal dhe përmirësim të klimës së biznesit në vend.