
Forcohet Klinika Universitare për Sëmundje të Fëmijëve, punësohen 12 shqiptarë të rinj në staf, mes tyre 4 mjekë specializantë
Pas një pauze disavjeçare, Klinika Universitare për Sëmundje të Fëmijëve ka bërë një hap të rëndësishëm drejt përforcimit të stafit profesional. Sot, drejtori i klinikës, Dr. spec. Rexhep Memedi, ndau vendimet e punës për 12 anëtarë të rinj të stafit, të gjithë shqiptarë, duke përfshirë 4 mjekë të rinj specializantë dhe 8 anëtarë të stafit teknik.
Kjo është një arritje domethënëse jo vetëm për institucionin shëndetësor, por edhe për përfaqësimin e shqiptarëve në sistemin shëndetësor publik. Përfshirja e kuadrove të reja shqiptare në këtë klinikë prestigjioze vjen si rezultat i përkushtimit për barazi dhe përfaqësim të drejtë në institucionet publike.
Drejtori Memedi theksoi se kjo është vetëm një hap drejt një klinike më funksionale, më të aftë dhe më gjithëpërfshirëse, ku profesionalizmi dhe shërbimi cilësor janë prioritet i padiskutueshëm.