
Fotoja me të moshuaren në Çair, reagimi nga familja dhe politika, sqarimi nga Osmani
AA
Familja e një të moshuare nga Likova ka reaguar ndaj fotografisë së shpërndarë nga kandidati i AKI-së për Çairin, Bujar Osmani.
Djali i të moshuarës në foto, Sherif Rramani – kryetar i nëndegës së Alternativës në Likovë, pjesë e koalicionit VLEN – akuzon se nëna e tij është mashtruar. Ai thotë se e ëma ka qenë mysafire në Çair dhe se dikush i kishte thënë se “Bujari është i VLEN-it”.
“Personi në foto është nëna ime dhe ka qenë mysafir në Çair, ajo është nga Likova dhe as që e njeh Bujarin e as që voton në Çair. Më vjen keq që është manipuluar pa dijeni nga disa njerëz që i kanë thënë se Bujari është i VLEN-it dhe ajo gjitha fjalët që i ka thënë, i ka thënë duke menduar vërtet se Bujari është nga VLEN-i”, publikoi Rramani. Lidhur me këtë ka pasur reagime edhe nga eksponentë të VLEN që kanë akuzuar Osmanin për keqpërdorim.
Në anën tjetër, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, reagoi me një video-demant ndaj akuzave. Ai tha se kurrë nuk do të keqpërdorte askënd dhe akuzoi VLEN për shpifje.
“Asnjëherë nuk kam abuzuar, dhe as që do ta bëja një gjë të tillë ndaj askujt, e aq më pak ndaj kësaj zonje të mrekullueshme e cila më është afruar sinqerisht dhe që në sytë e mi meriton gjithë respektin. Ja ku është videoja që e dëshmon këtë, dhe që tregon qëllimin e saj të sinqertë për të bërë një foto”, tha Osmani.
Ai shtoi se fotografia është bërë me kërkesën e vetë gruas së moshuar dhe se publikimi i saj ishte i pëlqyer prej saj. “Kjo nuk është abuzim, por një gjest i zakonshëm i njerëzve që shprehin simpati. Ajo që nuk është normale, është të gënjeni dhe manipuloni ashtu siç bën VLEN”, theksoi Osmani.
Në videon e shpërndarë prej tij shihet se gruaja e fton Osmanin për t’u fotografuar bashkë, duke hedhur dyshime mbi versionin e kundërt që publikoi VLEN.(INA)