Funksionarët qeshin kur Mickoski thotë se nuk ka asgjë për provimin e jurisprudencës në shqip
“Asgjë”.
Kjo ishte e gjitha që kryeministri Hristijan Mickoski kishte të thotë për takimin mes partnerëve të koalicionit, për çështjen e provimit të jurisprudencës.
Madje deklarata e tij u përcjell edhe nga të qeshura nga zyrtarët që i qëndronin prapa shpine, në mesin e të cilëve ishte edhe ministrja e Arsimit Vesna Janevska.
Se për çfarë qeshën, e dinë vetëm ato, por gjesti i tyre tregoi shumë për joseriozitetin e tyre, kur bëhet fjale për një çështje aq serioze që tangon shqiptarët, më saktësisht studentët shqiptarë.
Më pas gazetarët i dhanë edhe një mundësi përgjigjeje kryeministrit, për të folur rreth takimit të djeshëm për çështjen e provimit të jurisprudencës, pas çka ai gjithashtu la shumë për t’u kuptuar, se me partnerët ai nuk negocion, por thjeshtë bisedon.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Ne nuk bëjmë marrëveshje, nuk negociojmë. Ne jemi partnerë qeveritarë dhe bisedojmë për çdo temë. Nëse më pyesni si partnerët qeveritarë a keni biseduar, atëherë do ju përgjigjem po kemi biseduar. Ne nuk negociojmë mes vete që të kemi një qëndrim ose një tjetër, që tani duhet t’i afrojmë ato qëndrime. Mendoj se po afrohemi drejtë një zgjidhje, në pajtim me Kushtetutën dhe standardet evropiane”.
Takimi mes partnerëve qeverisës ishte mbajtur të hënën. Paraprakisht VLEN ka thënë se propozim-zgjidhja për çështjen e provimit të jurisprudencës është që, pjesa teorike e provimit të mund të jepet në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike të zhvillohet në gjuhën maqedonase. E në takimin e së hënës, duhej të vendosej nëse partia e Mickoskit do ta pranonte këtë propozim.
Edhe pse premtohej zgjidhje e shpejtë, çështja e provimit të jurisprudencës po vazhdon të zgjatet. Studentët shqiptarë kërkojnë që provimin e jurisprudencës të mund ta japin në gjuhën shqipe, për çka edhe kanë protestuar dy herë. Ndërsa në mbështetje të tyre, protestë është mbajtur edhe në Tiranë dhe Prishtinë.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/