Ganiu: Shërbimet për t’i pastruar dhe ujitur parqet në Çair, nuk veprojnë!
Gjendja me parqet në Komunën e Çairit, nuk është në nivel. Parqet nuk mirëmbahen si duhet, veçanërisht parqet mes ndërtesave në rrugën “Arhiepiskop Dositej”.
Kryetari i komunës, Visar Ganiu, thotë se edhe për këto është kompetente qyteti i Shkupit por nga atje nuk u përgjigjen kërkesave për mirëmbajtje.
“Qyteti i Shkupit e ka mirëmbajtjen, e ka ujitjen, e ka derisa ai park të marrë pasqyrën e vet, pamjen e vet. Beso unë u lajmërohem, ato tallen. Nga komuna ne i lusim që ata të dalin ta ujitin për shkak se kanë filluar të thahen pemët, ato thonë jo nuk duhet ditën, duhet natën, natën nuk e lëshojnë”, tha Ganiu.
E për të mësuar arsyen pse mirëmbajtja e higjienës dhe e parqeve në Çair nuk është në nivel, dërguam pyetje deri te Ndërmarjet Publike “Higjiena Komunale” dhe “Parqe dhe Gjelbërime”. Megjithatë, asnjëra prej tyre edhe pas 24 orëve nuk na kthyen përgjigje. Nga “Higjiena Komunale” dje përmes një komunikate për media njoftuan vetëm se kanë larguar mbi 150 metër kub mbeturina, përfshirë këtu edhe në komunën e Çairit. Nga atje thonë gjithashtu se janë ngritur edhe pesë procesverbale për qytetarët të cilët janë kapur duke hedhur mbetje të vëllimshme.