Gara për Gyokeres, luftë e madhe mes Man. Junajtedit dhe Mançester Sitit
Një klub i Premier Ligës ka hapur bisedimet me Sporting Lisbonën për transferimin e sulmuesit Viktor Gyokeres. Sulmuesi suedez është njëri ndër lojtarët më të përmendur në Evropë për momentin për shkak të fillimit fantastik të sezonit. Deri më tani në sezonin 2024/2025, 26-vjeçari ka shënuar 24 gola dhe ka regjistruar katër asistime në të gjitha garat këtë sezon.
Si rezultat i formës së tij të mirë, reprezentuesi suedez është lidhur me një largim nga Sportingu, ku klube si Liverpulli, Arsenali, Man. Junajted, Çellsi dhe Paris Sen Zhermeni kanë shprehur interesim për të. Sidoqoftë, mbrëmjen e së hënës, gazetari Florian Plettenberg raportoi se Junajtedi ka hapur bisedimet për transferimin e Gyokeres në afatin kalimtar veror.
“Man. Junajtedi ka nisur kontaktet e para konkrete sa i përket Viktor Gyokeres para një lëvizje të mundshme në verë. ‘Djajtë e Kuq’ janë tërësisht të përfshirë. Sidoqoftë, kjo do të kërkojë shitje fillimisht. Man. Siti po ashtu ka rritur përpjekjet e tyre gjatë ditëve të fundit. Hugo Viana momentalisht po shtyn fortë në kërkim të Gyokeres”, ka shkruar Pletenberg.
Junajtedi do të shpresojë se ideja e ribashkimit me ish-trajnerin Ruben Amorim mund ta joshë Gyokeres që ta pranojë kalimin në ‘Old Trafford’.