Gashi–Stevanoviq në Lubjanë: Konfirmohet mbështetja e Sllovenisë për rrugën evropiane
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi një takim zyrtar në Lubjanë me homologun e tij slloven, Zoran Stevanoviq.
Sipas komunikatës së Kuvendit, gjatë takimit u riafirmuan marrëdhëniet shumë të mira dhe partneriteti i qëndrueshëm mes Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë. Theks i veçantë iu kushtua nevojës për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe krijimin e mundësive të reja bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët.
Stevanoviq nënvizoi përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke rikonfirmuar mbështetjen e fuqishme të Sllovenisë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
Nga ana tjetër, Gashi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme sllovene ndaj reformave dhe procesit të integrimit evropian, duke theksuar rëndësinë e avancimit të tij për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit dhe të rajonit.
Po ashtu, bashkëbiseduesit vlerësuan rolin e studentëve si një urë lidhëse mes dy shteteve, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në ndërtimin e një perspektive të përbashkët evropiane.