Gazetari Ruvejd Idrizi “Nga Çashka në Kërçovë: si po luhet shahu i ri politik në Maqedoni”
🖋️ Analizë nga gazetari Ruvejd Idrizi
Për herë të parë në historinë e Komunës së Çashkës, është zgjedhur një kryetar shqiptar, pasi KSHZ rrëzoi ankesat e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, duke konfirmuar fitoren e kandidatit shqiptar të AKI-së. Ky moment cilësohet si historik, por edhe si sinjal i një riformatimi të brendshëm politik, ku marrëveshjet dhe kalkulimet prapaskenike po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Pas këtij vendimi, kryeministri Hristijan Mickovski doli me një porosi të drejtpërdrejtë për koalicionin VLEN, duke thënë se “nëse ndjek rrugën e BDI-së me nacionalizëm, do të përfundojë si ajo”. Kujtojmë se VLEN nuk kishte kandidat në Çashkë, por mbështeti kandidatin shqiptar të AKI-së – një veprim që, sipas shumë analistëve, tregon bashkërendim interesash me VMRO-në, më shumë sesa një strategji të pastër kombëtare.
Në Kërçovë, situata është bërë edhe më e ndërlikuar. Në raundin e dytë përballen Fatmir Dehari dhe kandidati i VMRO-DPMNE-së, por publikimi i përgjimeve ndaj kryetarit aktual – vetëm pasi u zyrtarizua kandidatura e tij – ka ngritur dyshime për një lojë të orkestruar për të ndikuar votën shqiptare. Këtë e përforcoi edhe Fatmir Limani, duke deklaruar se “nuk mund t’u them shqiptarëve të votojnë Fatmir Deharin”.
Në prapaskenë, po qarkullon gjithnjë e më shumë ideja e një marrëveshjeje të fshehtë, sipas së cilës VLEN mund të paguajë koston e Kërçovës, duke lejuar fitoren e VMRO-së atje, në këmbim të komunave të tjera të fituara me ndihmën e votave maqedonase. Një skenar që, sipas njohësve të terrenit politik, do të kishte dështuar nëse Shkodran Alili do të kishte kaluar në raundin e dytë.
Por këto marrëveshje nuk janë të reja. Burime politike kujtojnë se marrëveshje të ngjashme kanë ekzistuar edhe më herët mes BDI-së dhe VMRO-së, sidomos në Strugë dhe Tetovë, ku komunat janë ndarë në bazë të interesave partiake, jo të vullnetit të votuesve.
- Aritmetika e re e pushtetit shqiptar në Maqedoni
Nëse deri dje marrëveshjet e fshehta mes partive shqiptare dhe VMRO-DPMNE-së konsideroheshin pjesë e “realpolitikës”, këtë herë ato po marrin një formë më të hapur dhe më problematike. Në rastin konkret të zgjedhjeve lokale, sidomos në Kërçovë, po bëhet gjithnjë e më e dukshme një bashkërendim interesash që shkon përtej garës elektorale, duke ngritur pyetje serioze mbi autonominë e vendimmarrjes politike shqiptare.
Në zgjedhjet e kaluara, mbështetja për kandidatët shqiptarë në Kërçovë kurrë nuk ka qenë temë përçarjeje – shqiptarët kanë ditur ta ruajnë kohezionin elektoral pa udhëzime nga “qendrat” partiake. Por insistimi për rikandidimin e figurave të konsumuara, si rezultat i centralizimit të vendimmarrjes nga Ali Ahmeti dhe rrethi i tij i ngushtë, e ka dobësuar frymën mobilizuese të BDI-së. Kjo qasje e ngurtë – e përfaqësuar nga figura si Artan Grubi – ka krijuar përshtypjen e një partie të mbyllur, pa guxim për rinovim.
Nga ana tjetër, edhe pse VMRO-DPMNE mbetet një parti me theks populist dhe me nuanca të qarta albanofobie të heshtur, kritikat e saj ndaj BDI-së për korrupsion dhe klientelizëm nuk janë pa baza. Kalimi i BDI-së nga “platforma e gjelbër” në një retorikë të ish-komandantëve të UÇK-së, i ndjekur nga mungesa e figurave të rëndësishme të luftës në strukturat aktuale, ka krijuar përshtypjen se çështja kombëtare është reduktuar në dekor elektoral.
Për vite me radhë, BDI e ka ndërtuar legjitimitetin mbi idenë se përfshirja e shqiptarëve në institucione përbën përmbushjen e aspiratave kombëtare. Por zhvillimet e fundit – si në nivel lokal, ashtu edhe qendror – tregojnë se kjo përfshirje ka prodhuar vetëm një simulim institucional, ku shqiptarët janë pjesëmarrës formalë, por jo vendimmarrës të barabartë.
Nëse BDI do të kishte sinqeritet politik, ajo duhej të mbante një pozicion parimor: që VLEN të qëndronte jashtë qeverisë, për t’u diferencuar moralisht dhe politikisht nga forcat maqedonase. Por ndodh e kundërta – ndërsa BDI akuzon Mickovskin dhe VMRO-në për qëndrime anti-shqiptare, kërkon me ngulm pjesëmarrje në qeveri me të njëjtët aktorë.
Ky paradoks tregon se për BDI-në, kauza kombëtare është kthyer në justifikim për pushtet, jo në busull morale për vendimmarrje.
“E ardhmja e përfaqësimit shqiptar varet nga aftësia e forcave politike për të krijuar një balancë të re mes principit dhe pragmatizmit, duke vendosur interesat e komunitetit mbi ato të pushtetit të përkohshëm.”
📌 Analizë politike e realizuar nga gazetari Ruvejd Idrizi rreth politikave që po ndodhin në Çashkë dhe Kërçovë sot dhe në të kaluarën