Gjashtë të arrestuar pas të shtënave në një aheng familjar në Dobërdoll
Gjashtë persona janë ndaluar, ndërsa një tjetër është ftuar në bisedë zyrtare pas aksionit policor të zhvilluar lidhur me të shtënat me armë gjatë një ahengu familjar në fshatin Dobërdoll, në rrethinë të Gostivarit.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, aksioni u ndërmor pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje ku shfaqeshin të shtëna me armë gjatë ahengut. Nëpunësit policorë të SPB Tetovë realizuan bastisje në disa lokacione, ku u gjetën dhe u konfiskuan armë dhe municion.
Gjatë bastisjeve, tek I.S. (21) dhe I.B. (25) nga Dobërdolli u kryen kontrolle, ndërsa në shtëpinë e A.I. (30) u gjet dhe u konfiskua një pistoletë me gaz.
Në një tjetër bastisje, në shtëpinë e B.A. në Dobërdoll, policia gjeti 30 fishekë për pistoletë me gaz, 27 gëzhoja të shkrepura nga pistoletë me gaz në oborr, si dhe një fishek për armë gjahu. Pas kësaj, B.A. (46) dhe djali i tij M.A. (21) u privuan nga liria.
Po ashtu, gjatë kontrollit në shtëpinë e T.M. (26), policia konfiskoi një pistoletë me tetë fishekë, një pushkë gjuetie me shtatë fishekë dhe një pistoletë me gaz. T.M. u arrestua, ndërsa S.M. u ftua në bisedë zyrtare.
Të gjithë personat e ndaluar janë mbajtur në stacion policor për procedurë të mëtejshme. Nga MPB njoftojnë se, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngrihen kallëzime përkatëse.
