Gjenden të vdekur pasagjerët në veturën me targa gjermane afër kufirit me Kosovën, MPB jep detaje
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se tre persona janë gjetur të vdekur në një veturë të përmbysur në rrugën nga pika kufitare Bllacë drejt Shkupit.
“Më 19.07.2026, në ora 22:35, në SPB Shkup është raportuar se në rrugën nga pika kufitare Bllacë drejt Shkupit është gjetur e përmbysur një veturë e tipit ‘Mercedes’ me targa gjermane.
Menjëherë në vendin e ngjarjes janë dërguar zyrtarë policorë, të cilët kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona të pajetë, një mashkull dhe dy femra. Vdekjen e tyre e ka konstatuar mjeku i Ndihmës së Shpejtë.
Paraprakisht, në ora 13:40, në Stacionin Policor Bit Pazar, një shtetas i Kosovës kishte raportuar se tre persona ishin zhdukur, ndërsa kontaktin e fundit me ta e kishte pasur më 18.07.2026, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në Aeroportin e Shkupit”, njoftoi MPB.
Sipas informacioneve të publikuara nga familjarët, viktimat janë identifikuar si Ejup Ternava, Cennet Ternava dhe Fatmire Shabani, të gjithë shtetas të Kosovës. Ata ishin raportuar të zhdukur pasi kontakti i fundit me familjen ishte rreth orës 22:00 të mbrëmjes së kaluar, menjëherë pasi ishin nisur nga Aeroporti i Shkupit në drejtim të Kosovës me një veturë Mercedes GLC me ngjyrë blu dhe targa MR-DT 2025. Sipas informacioneve paraprake, dy prej tyre ishin marrë nga aeroporti, ndërsa aksidenti dyshohet se ka ndodhur në rrugën drejt pikës kufitare Bllacë, para se të kalonin kufirin me Kosovën.