Gjendet pa shenja jete i moshuari që ishte zhdukur në Istog
Është gjetur pa shenja jete i moshuari Musë Leskova nga fshati Bajicë e Istogut i cili ishte raportuar i zhdukur nga familjarët e tij më 10 janar. I njëjti u gjet nga FSK-ja mesditën e sotme.
Trupi i pajetë rezultoi rreth 500 metra larg shtëpisë së viktimës, në afërsi të lumit Drini i Bardhë.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Personi është raportuar i zhdukur më 10 janar, sot më datë 12, rreth orës 15:00 është gjetur buzë lumit Drini i Bardhë, rreth 500 metra larg shtëpisë. Sot gjatë mesditës iu kanë bashkangjitur kërkimit edhe FSK-ja”, tha Gashi.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rast “hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe ka urdhëruar nisjen e hetimeve.