
Gjesti human i një doktori: Bujar Osmani ndihmon një të aksidentuar në Shkup
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot është gjendur rastësisht në vendin e një aksidenti rrugor në Shkup, ku një motoçiklist ishte goditur nga një automjet.
Në një video të publikuar nga kalimtarë të rastit shihet se Osmani, bashkë me disa qytetarë të tjerë, i ka dhënë ndihmën e parë të aksidentuarit deri në mbërritjen e ekipit të Ndihmës së Shpejtë. Ai është përpjekur të ndihmojë në stabilizimin e gjendjes së tij derisa mjekët të merrnin situatën në dorë.
Incidenti ka ndodhur gjatë orëve të pasdites, në afërsi të një kryqëzimi të frekuentuar në kryeqytet. Ende nuk ka informata zyrtare për shkaqet e aksidentit dhe gjendjen shëndetësore të të lënduarit.
Gazetari Driton Zenku, duke komentuar ngjarjen, shkroi:
“Të jesh mjek do të thotë të jesh në detyrë 24 orë në ditë. Ka profesione që nuk njohin orar – si mjeku, polici, gazetari e të tjerë. Të gjitha profesionet kanë vlerë, por disa janë të shenjta. Sot këtë e dëshmoi edhe Bujar Osmani, i cili rastësisht duke kaluar në një nga rrugët e Shkupit, i dha ndihmën e parë një motoçiklisti të aksidentuar. Profesioni i vërtetë nuk hiqet as kur s’je në punë.”
Nga ekipi i Osmanit nuk është dhënë ndonjë reagim zyrtar. Flaka