Gjiganti turk me Hoze Murinjon, nisin “gjahun” pas Armando Brojës
Sulmuesi shqiptar nën pronësi të Çellsit, Armando Broja ka përfunduar në listën e dëshirave të klubit turk, Fenerbahçe, ku trajner është Hoze Murinjo. Jousef En-Nesiri pritej t’i bashkohej skuadrës së Fenerbahçes, por mediat italiane dhe saudite raportuan se En-Nesiri pranoi ofertën trevjeçare të Al-Qadsiah me një pagë prej 14 milionë eurosh.
Kështu, lajmet e fundit e kanë çuar skuadrën nga Stambolli në opsione të tjera apo alternativa për sulmuesin maroken. Sipas “CNN Turk”, drejtuesit e Fenerbahçes e kanë vënë në agjendë shqiptarin e Çellsit, Armando Broja dhe Beton e Evertonit në rast se sulmuesi maroken shkon zyrtarisht në Arabinë Saudite.
Fenerbahçe thuhet se kërkon të marrë në huazim sulmuesin shqiptar Broja, të cilin Çellsi dëshiron ta shesë, me opsion blerje. Beto gjithashtu duket të jetë një nga lojtarët që Fenerbahçe po mendon të shtojë në skuadrën e tyre në formë huazimi.