
Gjykata në Gjilan: Asnjë lëndë aktive për Mefailin

Në lidhje me rastin e vrasjes së ndodhur dje në qendër të Gjilanit, Gjykata Themelore në Gjilan ka bërë një sqarim për opinionin publik dhe mediat, duke theksuar se ndaj të dyshuarit Mefail (Fehmi) Shkodra nuk ka asnjë lëndë aktive në këtë gjykatë.
Sipas evidencës zyrtare, i njëjti ka pasur më herët tre lëndë penale, të gjitha të përfunduara me aktgjykim dënues:
Viti 2018 (PKR.nr.198/2018) – I akuzuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Është shpallur fajtor dhe është dënuar.
Viti 2014 (P.nr.610/2014) – I akuzuar për veprën penale “Vjedhja e shërbimeve komunale” nga neni 320 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Është shpallur fajtor dhe është dënuar.
Viti 2011 (P.nr.343/2011) – I akuzuar për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Është shpallur fajtor dhe është dënuar.
Ndërsa, sa i përket dy të dyshuarve të tjerë, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra, Gjykata bën të ditur se ata nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale për ndonjë vepër të gjykuar me vendim të formës së prerë, apo për ndonjë rast të papërfunduar.
Gjykata Themelore në Gjilan apelon për informim të saktë dhe të verifikuar, si dhe për shmangie nga spekulimet që mund të dëmtojnë procesin hetimor dhe gjyqësor.