Gjykata Supreme shfuqizon vendimin e Apelit për rastin “Llaskarca”
Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Shkupit lidhur me aksidentin tragjik të autobusit në Llaskarcë, me të cilin ishin rritur dënimet për disa prej të akuzuarve. Lënda është kthyer për rigjykim dhe vendimmarrje.
Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, Këshilli Penal, në seancën e mbajtur më 9 shtator, ka vendosur për rastin KVP2-86/25, të njohur në opinion si rasti i aksidentit të autobusit pranë fshatit Llaskarcë.
“Me vendimin në rastin KVP2-86/25, pranohen kërkesat për rishikim të jashtëzakonshëm të një vendimi përfundimtar, të paraqitura nga të dënuarit përmes avokatëve të tyre mbrojtës, revokohet vendimi i Gjykatës së Apelit të Shkupit KZ-979/24, i datës 17 prill 2025, dhe çështja kthehet për rigjykim dhe vendimmarrje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Vendimi i Apelit, i marrë në prill 2025, kishte ashpërsuar dënimet për disa prej të akuzuarve. Pronari i kompanisë “Durmo Tours”, Durmish Beluli, dhe menaxheri i transportit në kompani, Remzi Miftari, ishin dënuar me nga 10 vjet burg, nga gjashtë vjet sa kishin marrë në shkallën e parë.
Ndërkohë, dënimet për punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgievski dhe Goran Dukovski, ishin rritur nga pesë në shtatë vjet burg.