
Gjykimi ndaj Naim Murselit, dëshmon vëllai i Liridona Ademjat
AA
Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj Naim Murselit, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, po dëshmon vëllai i së ndjerës, Leonard Ademaj.
Para nisjes së seancës, avokati i Murselit, Shemsedin Piraj, ka kërkuar nga gjykata që të konsultohet me të akuzuarin lidhur me shqyrtimin gjyqësor. Këtë kërkesë e ka aprovuar nga Gjykata.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, Murseli ishte deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.
Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ishte raportuar se bëhet fjalë për një grabitje, e më pas Prokuroria bëri të ditur se është inskenim i një grabitjeje.