
Gostivar: Fushatë për rritjen e sigurisë së fëmijëve në komunikacion
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, së bashku me Departamentin për Preventivë të SPB – Tetovë, kanë nisur një fushatë për edukimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit të fëmijëve për sigurinë në komunikacion. Ky aktivitet zhvillohet për të dytin vit radhazi me fillimin e vitit të ri shkollor.
“Qëllimi ynë është t’i njoftojmë nxënësit me rolin e policisë rrugore dhe t’i edukojmë për rëndësinë e sigurisë në rrugë,” tha kryetari Limani.
Një nga aktivitetet kryesore ishte defileja e organizuar nga autoritetet lokale, së bashku me nxënësit dhe mësimdhënësit, e cila filloi nga Komuna dhe përfundoi në sheshin e qytetit. Gjatë defileut, fëmijët mësuan mbi përdorimin e shenjave të komunikacionit dhe rregullave të sigurisë si këmbësorë.
Pjesë e fushatës ishin edhe aktivitetet sensibilizuese për shoferët, të cilët u ndaluan për biseda nga policia, duke u kujtuar rëndësinë e respektimit të rregullave të komunikacionit dhe kujdesit ndaj fëmijëve. Pas mbërritjes në shesh, fëmijëve iu shpërndanë broshura me udhëzime dhe mesazhe për sjelljen e tyre në rrugë.
Kryetari Limani njoftoi gjithashtu se Komuna po përgatitet për instalimin e sinjalistikës së re në qytet, me fokus të veçantë afër shkollave, si dhe për intensifikimin e kontrolleve nga policia në zonat përreth shkollave të mesme, me qëllim parandalimin e shkeljeve të rendit dhe sigurisë publike.
“Fushata jonë do të vazhdojë edhe në vitet në vijim, për të garantuar një mjedis më të sigurt për fëmijët dhe gjithë komunitetin,” përfundoi Limani.