
Greta Thunberg proteston në Tiranë, thërret në shqip: Liri për Palestinën
AA
Siç ishte paralajmëruar, aktivistja suedeze me famë ndërkombëtare, Greta Thunberg, protestoi pasditen e kësaj të mërkurë në sheshin “Skënderbej”, për të ngritur “zërin” për vuajtjet e popullit palestinez, të shkaktuara nga Izraeli.
Protesta nisi në orën 18:00 dhe u zhvillua nën moton “Ndaloni urinë, lejoni ushqimin dhe jetën”. Numri i të pranishmëve në këtë protestë ishte jo i vogël. Ata mbrojtën fort kauzën e tyre dhe kërkuan me ngulm ndalimin e luftës në Gaza, me anë të deklaratave të ndryshme, që përcillnin solidarizimin e madh me palestinezët në Gaza.
Në disa momente, aktivistja Thunberg dukej teksa bënte thirrje në shqip: Liri për Palestinën. Gjithashtu, në fjalën e saj ajo theksoi se arsyeja pse lufta në Gaza ka degraduar në gjendocid është heshtja e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar ndaj akteve të Izraelit, që kanë ardhur duke u përshkallëzuar.
“Gaza ka hyrë në fazën e 5 të kequshqyerjes, ndërkohë që në anën tjetër të kufirit mijëra kamionë me ndihma ushqimore presin për të hyrë. Kjo është pasojë direkte e heshtjes së botës që e lejoi Izraelin të kryente këtë gjenocid. Kjo është në vazhdim të politikave të paligjshme të Izraelit, që ka shkatërruar furrat e bukës për të vazhduar fushatën e urisë në Gaza. Shterimi i resurseve natyrore, ndryshimi klimatik shkojnë dorë më dorë për me shtypjen dhe palestinezët po dëshmojmë këtë në radhë të parë. Ne po jetojmë në një kohë që karakterizohet nga gjenocidi, katastrofat natyrore. Gjenocidi në Gaza, krimet humanitare në botë dhe eskalimi i ngrohjes globale kanë të njëjtin shkak. Nëse vrasja e miliona njerëzve në Gaza nuk është e mjaftueshme për t’ju ngritur nga divani, çfarë do të jetë tjetër?”,- tha Thunberg në sheshin kryesor të kryeqytetit.
Pas fjalimeve të mbajtura nga disa prej protestuesve në sheshin “Skënderbej”, pjesëmarrësit tentuan të marshojnë drejt kryeministrisë, por u penguan nga policia.
Mbi 100 organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut u bënë thirrje qeverive të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur përhapjen e urisë në Gazë.
Ato, gjithashtu, kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, si dhe heqjen e të gjitha pengesave për shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Në deklaratën e nënshkruar nga 111 organizata, përfshirë Mercy Corps, Këshillin Norvegjez për Refugjatët dhe Refugees International, paralajmërohet se uria në Gazë po përhapet me shpejtësi të madhe, ndërkohë që ndihmat jetike, si ushqimi, uji dhe barnat, qëndrojnë të pashpërndara pranë kufirit, pasi organizatave humanitare u ndalohet të veprojnë.
Në pamundësi për të realizuar marshimin drejt Kryeministrisë, pasi nuk u lejuan nga policia, protestuesit në mbështetje të Palestinës, marshuan në sheshin “Skënderbej”./tar