Gruaja e Tiago Silvas kërkon shkarkimin e Poketinjos
Çellsi është përfshirë nga kaosi pas humbjes me shifrat 4-2 në shtëpi përballë Vullverhempton. Lojtarët janë larguar nga fusha e lojës mes vërshëllimave të tifozëve të tyre që i kanë kritikuar ashpërsisht dhe sikur të mos mjaftonte kjo, tashmë duket se në skuadër kërkohet largimi i trajnerit Maurisio Poketinjo.
Këtë e lë të kuptohet një postim në rrjetet sociale i gruas së një prej emrave më me influencë mes lojtarëve londinezë, Tiago Silvas.
Bashkëshortja e brazilianit, Belle Silva, nuk priti fundin e ndeshjes për të bërë një koment në rrjetet sociale që duket se i drejtohet ndërrimit të trajnerit.
“Është koha për ndryshim. Nëse pret më gjatë, atëherë do të jetë shumë vonë”, shkruante ajo pa u mbyllur sfida që zhyti Çellsin në vendin e 11 në klasifikim falë humbjes së 10 në këtë kampionat.