
Gruevski bëhet pjesë e fushatës në Çair – Ndërkohë shpërfaqet një ngjarje e pazakontë në takimet e Osmanit!
AA
Ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili para shtatë vitesh u arratis në Hungari, është bërë temë fushate mes kandidatëve për kryetar të Komunës së Çairit, shkruan Alsat.
Izet Mexhiti nga VLEN, pretendon se kundërkandidati i tij Bujar Osmani nga BDI, derisa ka qenë ministër i Jashtëm, është takuar me azilantin Gruevski në Budapest.
Përplasja nëpërmjet mediave ka ngritur nivelin e debatit deri në shkallën saqë Mexhiti thotë se është në pritje të momentit kur do t’i publikojë dëshmitë.
“Unë pres përgjigje, jo të tallet me gazetarët dhe opinionin, por le të përgjigjet ka qenë ose jo. Po ose jo, mandej do të përgjigjem. Osmani tha që nuk është takuar? Nuk e tha ashtu, ai ironizoi opinionin, gazetarët dhe publikun. Unë them që ka qenë dhe do e vërtetoj. Keni dëshmi? Po. Kur do t’i publikoni? Kur do të duhet”, ka thënë Izet Mexhiti, VLEN.
Osmani që mohon takimin ose takimet me Gruevskin e arratisur nga drejtësia, thekson që “edhe sikur të kishte pasur, ajo do të ishte konfidenciale”, diçka që i la hapësirë opinionit për të ngritur çështjet nëse është pjesë e punës së ministrit të takohet me njerëz që i kërkon Interpoli.
“Do të kisha dashur të flas më shumë, por takimet e ministrit të Jashtëm janë takime të klasifikuara dhe me ligj nuk mund të paraqiten edhe pse për këtë çështje kam folur se është pjesë e fushatës së tyre, por edhe po të kishte pasur diçka të tillë, do të ishte në kuadër të funksionit të ministrit të Jashtëm dhe ato janë informacione të klasifikuara”, u shpreh Bujar Osmani, BDI.
Ndërkohë, fushata që ka nisur para kohe në Çair, ka prodhuar edhe situata të pazakonta. Nënkryetari i degës së Alternativës në Likovë, Sherif Rramani, pretendon se disa persona e kanë manipuluar nënën e tij që të del në fotografi me Bujar Osmanin, duke menduar se Osmani është kandidat i VLEN-it dhe jo i BDI-së.
“Personi në foto është nëna ime dhe ka qenë mysafir ne Çair, ajo është nga Likova dhe as qe e njeh Bujarin e as qe voton në Çair. Më vjen keq që është manipuluar pa dijeni nga disa njerëz që i kanë thënë se Bujari është i VLEN-it dhe ajo gjitha fjalët që i ka thënë, i ka thënë duke menduar vërtetë se Bujari është nga VLEN”, shkruan Rramani.
Fotografinë në fjalë, Osmani para disa ditësh e kishte publikuar me mbishkrimin se gjatë takimeve derë më derë në Çair, një nënë i ka thënë “dua të bëjë një foto me ty, sepse jam me gjithë zemër me ty dhe dua që ta publikosh”.
Mes qëndrimeve dhe reagimeve të shumta në opinion lidhur me rastin, që disa e qortojnë Osmanin për keqpërdorimin e mundshëm të zonjës, e disa Rramanin që flet në emër të nënës së tij edhe pse pavarësisht nëna ka të drejtë të vendos vetë për veprimet e saja, Osmani, publikon një video me të cilën demanton pretendimet e Rramanit.
Kjo video, shihet ndryshe nga Osmani, e ndryshe nga Rramani.
“Videoja tregon qëllimin e saj të sinqertë për të bërë një foto, gjë që në atë moment për mua sigurisht ishte kënaqësi”, shkruan Osmani.
“Shihet qartë se ajo mendon se ti je VLEN dhe “shoku im””, shkruan Rramani.
Sido që të jetë, në video nuk dëgjohen fjalët që Osmani i shkroi në postimin e tij: “Dua të bëjë një foto me ty, sepse jam me gjithë zemër me ty dhe dua që ta publikosh”./ Alsat.mk