
Guardiola pranon: Liverpulli dhe Arsenali, gjithmonë më të fortë se ne
Vendi i pestë në klasifikim, 7 humbje dhe 16 pikë distancë nga Liverpulli. Pep Guardiola ka provuar të analizojë momentin e Man. Sitit para ndeshjes kundër Njukasëllit.
“Liverpull-i dhe Arsenali kanë qenë gjithmonë në këtë sezon më të fortë se ne. Më parë kishim besim me topin në këmbë, tani vuajmë kur e kemi. Nuk mund ta ndryshoj, nuk është diçka që ndodh pas tri ditëve stërvitje. E pyeta Gundogan: ti ke qëndruar një vit në Barcelonë dhe je kthyer, a ka ndryshuar diçka në Premier Ligë? Ai më tha po. Kjo është e vërteta, ekipet janë përmirësuar”.
Një situatë vërtet e ndërlikuar për “Qytetarët”. Pasi u kualifikuan në “play off”-in e Ligës së Kampionëve, në xhiron e fundit falë fitores ndaj Brizhit, anglezët humbën aktin e parë kundër Real Madridit. Tashmë do të nevojitet një mrekulli për të vazhduar përpara në 1/8 finale, për të mposhtur “Los Blankos” në fushën e tyre, por mbi të gjitha do të nevojiten masa për të shmangur katastrofa të tjera. Sidoqoftë, Guardiola thotë se kanë me çfarë mburren, referuar së kaluarës.
“Një sezon i keq në 8 apo 9 vite mund të ndodhë. A e keni parë Liverpull-in këtë sezon? Ata nuk mund të arrijnë 100 pikë tashmë, definitivisht jo. 99 pikë po, por jo 100, dhe shikoni çfarë sezoni kanë bërë. Kjo më bëri të kuptoj: Uaaaa, çfarë kemi arritur ne…”