Hajnat futen në shtëpinë e kryeimamit në Mitrovicë, vjedhin paratë e bamirësisë dhe kursimet e familjes
Shtëpia e kryeimamit të Mitrovicës, Rexhep Lushta, është grabitur mbrëmjen e së premtes nga persona ende të paidentifikuar për Policinë.
Siç raportohet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, grabitja ka ndodhur rreth orës 19:30, ku të dyshuarit kanë depërtuar me forcë në një shtëpi dhe kanë marrë para të gatshme, armë zjarri dhe mjete të tjera.
Sipas deklarimit të kryeimamit Lushta hajnat kanë vjedhur një sef metalik me 4,000 euro para bamirësie të dhuruara nga qytetarët, një revole me leje, 40 fishekë, një karikator dhe dokumentacionin e armës dhe rreth 2,000 euro kursime të fëmijëve, të mbajtura në dhomat e gjumit.
Vlera totale e dëmit llogaritet rreth 6,000 euro, pa përfshirë armën dhe pajisjet shoqëruese.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje e rëndë”.