
Haland: Qëndrojmë të bashkuar, nuk mund të fitosh gjithmonë
Man. Siti ka mbyllur aventurën në Ligën e Kampionëve. Kampionët në fuqi të Anglisë, të udhëhequr nga Pep Guardiola, u dorëzuan përballë një Kilian Mbape të jashtëzakonshëm, i cili me “hat-trick” personal i dha fitoren dhe kualifikimin Real Madridit (3-1).
Siti nuk pati shumë mundësi, veçanërisht duke qenë se në “Santiago Bernabéu” u paraqit pa yllin dhe sulmuesin e vet kryesor, Erling Haaland. Trajneri Guardiola shpjegoi në konferencën për shtyp arsyen e mungesës së tij.
“E kishte të vështirë të ecte, as të zbriste shkallët, ndaj në mëngjes na tha se nuk ndihej mirë”.
Norvegjezi, i cili këtë sezon ka shënuar 27 gola (19 në Premier Ligë dhe 8 në Ligën e Kampionëve), u dëmtua në minutat e fundit të ndeshjes së fundit të kampionatit ndaj Njukasëllit, ku asistoi Xhejms MekAti-s në fitoren 4-0. Pas eliminimit, Haaland reagoi në rrjetet sociale me një mesazh të qartë.
“Qëndrojmë të bashkuar. Ndonjëherë në jetë duhet të kalosh përvoja të tilla dhe të mësosh prej tyre. Nuk mund të fitosh gjithmonë. Së bashku do të ngrihemi sërish”.
Gjendja e Haaland për ndeshjen e së dielës ndaj Liverpool-it në “Etihad Stadium” (17:30) mbetet e dyshimtë.