Haradinaj në ditën e puntorëve: Sot shohim më shumë retorikë, më shumë uniformitet, më shumë migrim, dhe më pak shpresë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në ditën e puntorëve ka thënë se pagat në sektorin publik dhe atë privat mbetën më të ultat në rajon në periudhën kur inflacioni është i papranueshëm për kapacitetin e mangët financiar dhe ekonomik në nivel vendi.
“Paga minimale mbetet një formë e asistencës sociale. Paga mesatare mezi prek kufirin e mbijetesës. Në përgjithësi pagat në sektorin publik dhe atë privat mbetën më të ultat në rajon. Kjo madje në një periudhë kur inflacioni është i papranushëm për kapacitetin e mangët financiar dhe ekonomik në nivel vendi”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje ai ka thënë se Qeveria Kurti ka bërë krejt çfarë nuk është dashur që gjendja në tregun e punës të mos shënojë asnjë progres.
“Qeveritë e përgjegjshme bëjnë çmos që të drejtat, kushtet dhe mundësitë e punëmarrësve të shënojnë progres. Qeveria Kurti ka bërë krejt çfarë nuk është dashur, që gjendja në tregun e punës të mos shënojë asnjë progres”.
“Pra edhe sot, më 1 maj, shohim më shumë retorikë, më shumë uniformitet, më shumë migrim, dhe më pak shpresë. Kjo është oferta e një qeverie populiste”, ka thënë Haradinaj.