Hasanpapaj: Kemi nevojë për shtet të fortë dhe jo parti që forcohen në dëm të shtetit
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bardhyl Hasanpapaj, ka deklaruar se qytetarët kanë nevojë për shtet të fortë dhe jo parti që forcohen në dëm të shtetit.
Hasanpapaj ka deklaruar se asnjë nga veprimet e mazhorancës së kaluar nuk ka qenë në funksion të ruajtjes së stabilitetit institucional.
Kandidati për deputet i LDK’së ka akuzuar Lëvizja Vetëvendosje se ka mbledhur vota duke përdorur emrin e presidentes Vjosa Osmani, duke ofruar, siç u shpreh ai, një platformë që synonte shumicë stabile dhe zgjedhjen e saj për mandat të dytë.
“Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur vota në emrin e presidentes Osmani, duke iu ofruar qytetarëve një platformë që na doli një shumicë stabile, së bashku me mundësinë për të zgjedhur presidenten Osmani në mandatin e saj të dytë. Kjo është bë drejtpërdrejtë e qartë tek të gjithë populli. Pas zgjedhjeve, çuditërisht, kjo kartë e VV-së ndryshoi”, deklaroi Hasanpapaj.
“Unë besoj që bashkë me këtë krizë që është sjellë këtu për shkak të një dëshire për të kontrolluar të gjitha institucione, ka sjellë një krizë të thellë institucionale dhe që është vënë në pikëpyetje themelet e kësaj demokracie. Kemi nevojë për shtet të fortë dhe jo parti që forcohen në dëm të shtetit”, tha më tej ai në emisionin ‘Politico’ në Kanal 10.