Haxhiu akuzon Qeverinë Kurti për dështimin e ndërtimit të Stadiumit Nacional në Korreticë dhe mos përfundimin e renovimit të atij në Mitrovicë
Në prag të ndeshjes kualifikuese për kampionat botëror të Kosovës me Turqinë, ish deputeti dhe ish nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mos ndërtimin e Stadiumit Nacional në Korreticë dhe mos përfundimin e renovimit të Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.
Postimi i Bekim Haxhiu:
Sot, më shumë se kurrë, duhet të kërkohet përgjegjësi.
Pse Qeveria Kurti, që nga viti 2020, bllokoi ndërtimin e Stadiumit Nacional në Korreticë (afër aeroportit), me 30 mijë ulëse, dhe Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, me 18 mijë ulëse?
Projektet e Stadiumit Nacional dhe Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” u prezantuan në vitin 2019.
Buxheti ishte i ndarë, gjithçka ishte gati për të nisur investimet, por u ndalën nga Qeveria Kurti.
Për Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, kontrata e investimeve ishte e nënshkruar. Prapë u bllokua.
Kam bërë dhjetëra pyetje parlamentare e diskutime ne Kuvend dhe kam kërkuar llogari për ndërprerjen e investimeve në infrastrukturën sportive.
Përgjigjet dhe llogaridhënia munguan.
Ata që nuk kanë vendosur asnjë gur në ndërtimin e përfaqësueses së Kosovës dhe që kanë bllokuar ndërtimin e Stadiumit Nacional dhe Stadiumit Olimpik “Adem Jashari”, nuk kanë asnjë të drejtë morale të dalin sot e të krenohen me sukseset e futbollistëve tanë.
Të martën presim fitore për realizimin e ëndrrës së madhe, Kosova në Kampionatin Botëror 