
Haxhiu: Mickoski po ndërton shtetin e tij – shqiptarët po shpërbëhen
Analisti politik Baton Haxhiu ka komentuar zhvillimet pas zgjedhjeve të fundit, duke theksuar se BDI-ja e Ali Ahmetit kishte kërkuar të jetë pjesë e qeverisë bazuar në një rregull të pashkruar midis komuniteteve etnike në vend, transmeton Flaka
“Ali Ahmeti kërkoi të hyjë në qeveri sepse kishte dalë i pari në zgjedhje. Kjo ka qenë marrëveshja e heshtur midis komuniteteve – kush del i pari në bllokun e vet etnik, ai ndërton qeverinë,” tha Haxhiu.
Sipas tij, ky rregull është shkelur nga VMRO-DPMNE.
“VMRO-ja vendosi ta shkelë këtë rregull të pashkruar. Dhe në këtë plan, mori ndihmën e çmuar të Albin Kurtit,” u shpreh Haxhiu.
Ai shtoi se ndikimi i kryeministrit të Kosovës në këtë proces ishte vendimtar për dobësimin e liderit të BDI-së.
“Asgjë nuk e dobësoi Ali Ahmetin më shumë sesa krijimi i ‘Vlen’-it si një koncept jo politik, por si një aleancë kundër figurave që përfaqësonin historinë, lidhjet me Shqipërinë dhe Kosovën dhe idenë e luftëtarit në politikë,” theksoi ai.
Sipas Haxhiut, ndërkohë që shqiptarët në Maqedoni janë ndarë në copa, në emër të reformës dhe moralit, me liderë që s’dalin dot as në një betejë fjalësh, Mickoski po shfaqet si stabiliteti i ri, si qetësia që vjen pas përçarjes, si figura që nuk ka më nevojë as të kërcasë dhëmbët. Sepse shqiptarët ia bënë punën vetë.
“Mickoski, një figurë që deri dje lëvizte me fjalor folklorik dhe me mimikë të akullt, sot është duke ndërtuar shtetin e tij, një shtet ku shqiptarët janë të shpërbërë, të përçarë, të poshtëruar dhe pa fuqi reale politike”, shkruan Haxhiu në një vështrim të tij.
Haxhiu e përshkroi koalicionin VLEN si një projekt që u ushqye nga antagonizmi ndaj dy figurave të caktuara.
“Kjo aleancë ishte e ndërgjegjshme që fuqinë nuk e kishte, por legjitimitetin ia merrte vetëm nga urrejtja ndaj Ahmetit dhe Menduh Thaçit. Dhe ia arriti,” përfundoi Haxhiu në një opinion të tij. Flaka
The post Haxhiu: Mickoski po ndërton shtetin e tij – shqiptarët po shpërbëhen appeared first on Flaka, në çdo lajm… .